Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se pas veprimeve të intensifikuara hetimore lidhur me rastin e rrëmbimit të ndodhur më 19 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës, është identifikuar dhe ndaluar edhe një zyrtar policor si i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Sipas komunikatës së përbashkët për media, menjëherë pas identifikimit të të dyshuarve, IPK është përfshirë në hetime në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë.
Hetuesit kanë arritur të sigurojnë prezencën e personave të dyshuar dhe gjatë veprimeve hetimore kanë sekuestruar një armë zjarri si dhe një lodër që imiton armën automatike AK-47.
Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që të suspendojë përkohësisht zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast, si pjesë e procedurave administrative.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.
Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje tashmë ka arritur në tetë.