Nëse hulumtohen shakatë më të mëdha të 1 prillit të të gjitha kohëve, Britania e Madhe është një lidere botërore në këtë aspekt. Shakaja e BBC-së lidhur me kultivimin e shpagetave në pemë, mbetet si njëra ndër shakatë më të mëdha në histori, shkruan “Readersdigest.ca”.
Transmetuar më shumë se gjysmë shekulli më parë, ajo ende e zë vendin e parë.
Në vitin 1957, emisioni i lajmeve “Panorama” i BBC-së raportoi se falë një dimri të butë, fermerët zviceranë hasën në një prodhim të madh të shpagetave. Për ta vërtetuar këtë, emisioni transmetoi një reportazh treminutësh të fermerëve zviceranë që shkulnin me kujdes, ose “vilnin” fijet e shpagetave nga pemët.
Me mijëra shikues u mashtruan dhe shumë nga ta e thirrën BBC-në, duke dashur të dinin se si mund ta mbillnin pemën e tyre të shpagetave.
BBC-ja këshilloi çdo telefonues: “Vendoseni një fije të shpagetave në një tenxhere me salcë domatesh dhe shpresoni për më të mirën”.