Nxënësit e shkollës “Nuhi Gashi” nga Bradashi vizituan sot Kuvendin e Kosovës, ku u pritën me përzemërsi nga deputeti Besnik Tahiri. Vizita ishte një mundësi e veçantë për fëmijët që të njiheshin nga afër me institucionin legjislativ dhe rolin e tij në sistemin demokratik të Kosovës.
Për deputetin Tahiri, ky takim kishte një kuptim të veçantë, jo vetëm për angazhimin e tij si deputet, por edhe për lidhjen personale me shkollën e Bradashit. “Nuk ka ndjenjë më të bukur sesa ajo që buron nga takimi dhe bashkëbisedimi me fëmijët. Kur kjo vjen nga shkolla ‘Nuhi Gashi’, aty ku ka vijuar mësimet edhe prindi im, ndjesia është e papërshkrueshme,” tha ai.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të bisedonin me deputetin dhe të mësonin për funksionimin e Kuvendit. Tahiri nënvizoi rëndësinë e edukimit qytetar për brezat e rinj dhe përçimin e vlerave të Llapit, që njihen për tolerancë, solidaritet dhe atdhedashuri.
Në fund të vizitës, deputeti falënderoi nxënësit, prindërit e tyre, drejtorin e shkollës Fadilin dhe stafin për këtë iniciativë të frytshme. “Sot ishte një nga ditët më të veçanta për mua si deputet. Me nderuat!” përfundoi ai.
Postimi i tij i plot:
Nuk ka ndjenjë më të bukur sesa ajo që buron nga takimi dhe bashkëbisedimi me fëmijët. Kur kjo vjen nga fëmijët e shkollës ‘Nuhi Gashi’, të Bradashit, aty ku ka vijuar mësimet edhe prindi im, atëherë të jep një nder të veçantë dhe një ndjesi të papërshkrueshme.
Llapi, prej nga vijmë, shquhet për tolerancë, solidaritet dhe atdhedashuri. E kemi për obligim që t’ua transmetojmë këto vlera dhe tradita fëmijëve, qoftë edhe përmes edukimit të hershëm për qytetari aktive dhe për sistemin qeverisës e politik.
Sot ishte një nga ditët më të veçanta për mua si deputet. I falënderoj fëmijët, prindërit e tyre, drejtorin e Shkolës Fadilin dhe stafin e shkollës për këtë vizitë të këndshme dhe surprizë!
Me nderuat!