Presidentja Vjosa Osmani, në adresimin e saj para deputetëve në Kuvend, ka thënë se përfaqësimi i Kosovës përveç se është nderi më i madh i jetës së saj, është mishërim i besimit të qytetarëve.
Ajo rikujtoi se rruga deri te shteti që gëzojmë sot, nuk ka qenë aspak e lehtë, duke pëmendur vuajtjet që kaloi populli i Kosovës gjatë luftës së fundit.
“Jam angazhuar që t’i përfaqësoj qytetarët me dinjitet dhe do të angazhohem gjithnjë që në këtë rrugëim të dalim përherë faqebardhë, përfaqësimi i vendit tim përveç se është nderi më i madh i jetës sime, është mishërimi i besimit të qytetarëve duke na rikujtuar ditë pas dite përgjegjësinë që kemi jo për të lartësuar vetën, por për të lartësuar shtetin”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
“Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë, për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy dhe mbështetje për secilin qytetar. Momenti kur mund të themi se vërtetë ja kemi dalë është momenti kur qytetarët do të thonë jemi krenar për vendin tonë dhe për vlerat që ai përfaqëson e mundësitë dhe gjithpërfshirjen që ofron, e jo për shkak të një personi apo grupi politik”, tha ajo.