Një raport tronditës i Auditimit të Brendshëm në Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), që është deponuar nga vet organet e saj në Prokurori ka ekspozuar një rrjet masiv parregullsish financiare, ku janë shpenzuar mbi 1 milion euro nga llogaritë e institucionit në mënyrë të pajustifikuar. Skandali arrin pikun në periudhën 2022-2023, e cila koincidon me drejtimin e BKS-së nga ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, që më vonë u përzu nga BQK-ja për gjysmë dekade nga industria e sigurimeve.
Baza e gjetjes më të rëndë të auditimit është se këto pagesa shpërblejnë dëme, për të cilat BKS-së i mungon dokumenti bazë: raporti i aksidentit nga Policia e Kosovës. Insajderi sjell emrat e përfitueseve të këtyre pagesave
Sami Mazreku, tashmë i përjashtuar nga industria e sigurimeve për gjysmë dekade me vendim të Bankës Qendror, mori drejtimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve në mars të vitit 2021. Ai do të drejtonte me të deri në fillimin e janarit 2024, kur u largua me dorëheqje.
Një auditim i brendshëm i kryer nga Krenare Pirana Kiseri, që tash është Drejtoreshë e këtij institucioni, ka zbuluar një aferë që shkon në mbi 1 milion euro e që vet organet e tjera të BKS-së rekomanduan që të dërgohet për hetim penal në Prokurori.
Rasti ishte nisur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për të kaluar tutje në atë të Prizrenit, e që pastaj pati një ankesë në Prokurorinë e Apelit, dhe në publik më nuk dihet se kujt do ti ndahet për hetim.
Pavarësisht se si do të merren vesh në organin e akuzës se kush do të hetoi mbi këtë rast, raporti, një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi, zbulon se tek kompensimet e dëmeve nga 2019 e deri më 2024 pati një problem thelbësor: BKS ka bërë pagesa ashtë kontrollit.
Raporti i Auditimit e klasifikon gjetjen kryesore si “Rrezik të Lartë” dhe e titullon si “shpenzime të Pajustifikuara nga Llogaria Bankare e Sigurimit Kufitar (SK) dhe MOU”.
Sipas auditimit, shuma e shpenzuar në mënyrë të pajustifikuar arrin në 1,043,284 euro.
“Në vitin 2022, janë realizuar 59 pagesa në vlerë prej 354,580 € dhe në vitin 2023 janë realizuar 107 pagesa në vlerë prej 688,704 €”, konstaton raporti, që ishte lëshuar në analizim të dokumenteve nga viti 2019.
Auditorja thekson se ky rrezik është i lartë sepse pagesat “nuk ishin të regjistruara në databazën e dëmeve të BKS-së” dhe, më e rëndësishmja, mungon dokumentacioni bazë si raporti policor, vendimi i komisionit të dëmeve, apo raportet e ekspertizës.
Në analizën e tij, auditori shprehet me tonin më të rëndë: “Nuk mund të përcaktohet nëse këto fonde janë përdorur për kompensim të dëmeve reale apo për qëllime të tjera, që rrit rrezikun e pastrimit të parave dhe shpenzimeve të pambuluara”, thuhet në raportin që e ka Insajderi.
Kjo ka ngritur dyshimin që BKS ka derdhur mbi një milion euro pa pasur dëshmi zyrtare si raporti policor i aksidentit, që është baza e pagesës, dhe nëse vërtetë ai aksidentë të ketë ndodhur.
Gjetjet e auditimit tregojnë se këto pagesa u shpërndanë tek 43 individë dhe 1 subjekte juridike. Këta persona dhe kompani figuronin si përfitues, megjithëse pagesat u kryen jashtë sistemit të rregullt.
Lista e plotë e emrave të përfituesve që auditorja, tash Drejtoreshë e BKS-së, Krenare Pirana Kiseri, i ka përfshirë në dokument janë:
Ariana Domniku Collaku, Yll Collaku, Marigona Collaku, Naxhije Collaku, Naser Biri, Jetesa Biri, Ron Biri Bardh Hoti, Mirjeta Kosumi, Agon Bardhi, Hasip Meleqi, Agim Krasniqi, Trendeline Azemi, , Lirim Ahmetaj, Kushtrim Demolli, Mentor Demolli, Egzona Gashi, Lumnije Osmani, Rilind Hasani, Paris Starabanja, Florent Sylejmani, Kimete Kuliqi, Fehmi Bajrami, Brendona Mujaj, Faton Hajdari, , Hana Rastavica, Valbone Hoxha, Nora Mucaj, Mergim Zabeli, Leonora Berishaj, Shefqet Mjeku, Leonard Rexhaj, Bajram Osmani, , Diellza Kabashi, Enis Osmani, Besiana Murati, Arbnora Peci, Valon Duraj, Suad Haliti, Adem Nasufi, Ariana Mehmeti, Hana Ullak, Muhamet Rexhepi, dhe subjekti juridik Reforma SHPK.
“Kompania jonë ka pranuar pagesa në lidhje me riparimin e automjeteve të aksidentuara. Këto pagesa janë kryer në përputhje me faturat e lëshuara dhe të regjistruara ligjërisht nga “Reforma SHPK”. Dokumentacioni ynë përfshin faturat përkatëse, deklaratat e pranimit të riparimit dhe dorëzimit të mjeteve, të cilat janë firmosur nga klientët përkatës”, thuhet në një përgjigje të kësaj kompanie për Insajderin.
Kompania tutje ka shtuar se “në përputhje me detyrimet tona ligjore dhe kontraktuale, “Reforma SHPK” ka siguruar një evidencë të plotë për të gjitha transaksionet e saj, duke përfshirë dokumentacionin përkatës të çdo rasti. Kompania jonë ka operuar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe ka pasur një bashkëpunim korrekt dhe transparent me Byronë Kosovare të Sigurimeve”.
Menaxhmenti i BKS-së, në përgjigjen e tyre zyrtare ndaj gjetjeve, pranoi se ishte jashtë kontrollit të duhur mënyra e këtyre pagesave.
“Departamenti i Financave dhe Kontabilitetit nuk ka pranuar ndonjë Urdhërpagesë për ekzekutimin e ndonjë dëmi ndaj personave të lartcekur… dhe këto dëshmi nuk kanë arritur të argumentohen me prova mbështetëse se si janë realizuar përderisa nuk ka pasur ndonjë dëm të raportuar. Përfituesit e lartcekur nuk figurojnë në sistemin e dëmeve se kanë paraqitur ndonjëherë kërkesë”, tuhet në faqe 21 të raporti, tek komentet e menaxhmentit.
Ky pranim zyrtar ngre dyshime serioze se pagesat ishin të paautorizuara, u kryen në mënyrë të fshehtë dhe pa procedurë standarde.
Përveç vrimës financiare prej mbi 1 milion eurosh, raporti i auditimit detajon shkelje të tjera sistematike që përshkruajnë një kaos në menaxhimin e dëmeve.
Auditorja zbuloi raste të kompensimit të dyfishtë të dëmeve. Në disa raste, BKS ka paguar palën e dëmtuar dhe më pas ka paguar përsëri edhe kompaninë e huaj të sigurimit për të njëjtin aksident, duke rënduar buxhetin e saj.
“BKS ka bërë kompensimin e dyfishtë të dëmeve, duke paguar në disa raste palën e dëmtuar dhe kompaninë e huaj të sigurimit për të njëjtën veturë”, thuhet në faqe 11 të këtij raporti.
Auditori identifikoi 14 raste ku pagesat janë bërë pa pasur raportin origjinal të policisë.
“Në dosjet e trajtuara, në 14 raste, mungon raporti origjinal i policisë, çfarë pengon verifikimin e plotë të dëmit dhe rrit rrezikun e pagesës së kompensimit në baza të dyshimta”, thhuhet në raport dhe shtohet se “në disa raste, në dosjet e dëmeve ishte i pranishëm vetëm një kopje e raportit të aksidentit, pa vulën dhe nënshkrimin zyrtar të autoriteteve, duke e bërë dokumentin të pa verifikueshëm dhe të pasigurt për procesin e kompensimit”.
U gjetën raste ku BKS-ja, pas një vendimi fillestar për fajësi 50%, e ka ndryshuar atë në 100% pa asnjë ekspertizë shtesë, duke rritur në mënyrë artificiale dëmin që duhej paguar.
“Në disa raste, BKS ka rritur vlerën e dëmit duke ndryshuar përgjegjësinë nga 50% në 100%, pa ndonjë ekspertizë shtesë apo vendim të motivuar që e justifikon këtë ndryshim”.
Raporti i auditimit mbaron me një rekomandim të drejtpërdrejtë për veprim ligjor, duke bërë konstatime që përmendin edhe mundësinë e shpërlarjes së parave.
“Mospërputhja midis pagesave bankare dhe regjistrimeve në databazën e dëmeve ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin e fondeve të dëmeve dhe transparencën e procesit të kompensimit. Mungesa e dokumentacionit mbështetës (raportet policore, vendimet e komisionit, raportet e ekspertizës etj.) bllokon verifikimin e përdorimit të fondeve, duke ngritur dyshime mbi përdorimin e tyre për dëme reale apo për qëllime të tjera. Ky lëshim mund të ekspozojë institucionin ndaj: rrezikut të keqmenaxhimit financiar, mospërputhjeve me rregulloret dhe standardet e kontabilitetit, rrezikut të abuzimit me fondet, ndëshkimeve nga autoriteti rregullatorë. Shkeljet Ligjore të Mundshme: Ligji nr. 05/L-045 për Sigurimet; Ligji nr. 03/L-196 për Parandalimin e Shpërlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit ;Ligji nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat”, thuhet në raport.







