Pakënaqësitë për unifikimin e transportit të autobusëve të Trafikut Urban, sidomos të linjave të transportit nga Komuna e Podujevës janë diskutuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, më 31.01.2025.
Kuvendi i Komunës së Prishtinës po mban mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, ndërsa aktualisht ndodhet në pauzë.
Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani ngriti për diskutim çështjen e unifikimit të Trafikut Urban nga Komuna e Prishtinës.
Sipas Osmanit, linjat e fundit të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës, me Operatorë privatë, me të cilët thotë se Komuna ka synuar të arrijë shërbimet e transportit publik për banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë magjistrales Prishtinë – Besianë, si fshatrat: Trudë, Lebanë, Prugovc, Barilevë, Besi, Rimanishtë, Vranidoll, Teneshdoll, Sharban… janë linja që kanë paraqitur më shumë probleme, sesa që kanë krijuar lehtësira për banorët e këtyre zonave.
Osmani iu drejtua kryetarit Rama duke thënë se këto linja janë lëshuar në qarkullim pa ndonjë planifikim paraprak, pa plan të mobilitetit dhe pa marrëveshje me insitucionin, që sipas tij është përgjegjës për rrugët magjistrale.
“Duke tentuar të zgjidhet shkel e shko kjo çështje kaq e rëndësishme, Komuna ka nënshkruar Kontrata që kanë implikime të mëdha buxhetore, pa e vrarë fare mendjen se nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.” – deklaroi Osmani.
Sipas tij me këtë Vendim të Komunës së Prishtinës nuk janë marrë parasysh edhe konfliktet e dhunshme, që do të mund të ndodhin mes Operatorëve në aksin rrugor Prishtinë – Podujevë.
“Autobusët e kontraktuar për trafik urban i keni detyruar të shkojnë nga Prishtina në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban me tre ose katër udhëtarë dhe ua keni ndaluar ndaljet nëpër Stacione – duke i detyruar të futen nëpër vendbanime.” – shtoi Osmani.
Ndërkaq, kryetari Përparim Rama në kundërpërgjigje ka thënë se e vetmja gjë që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës është se është bashkuar kostoja e trafikut urban dhe të gjithë Operatorëve privatë në një biletë, në mënyrë që siç tha ai të gjithë qytetarët të mos paguajnë dy herë, por ta kryejnë vetëm një pagesë.
Ai tha se ka pasur diskutime me këta Operatorë dhe Komunën e Podujevës, duke thënë se ka inicuar për të bërë një bashkëpunim me ta dhe me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishin, për të zgjidhur këtë problem, por thotë se fokusi i tij është te qytetarët e Kryeqytetit.
Tutje, Rama thotë se janë në pritje të Ministrisë së Infrastrukturës që t’ua caktojë pikat në linjat ndërurbane.
Rama pati edhe akuza për Operatorët e Komunës së Podujevës.
“Pasi që ne e kemi kriju biletën e përbashkët mes Transportit publik dhe Operatorëve privatë, kemi insistu që t’i përmbahen një orari, i cili është në të mirën e çdo qytetari: edhe në Prishtinë, edhe nëpër fshatra. Edhe kjo ka kriju një pakënaqësi prej Operatorëve të Podujevës. Aty e kemi pasë ne problemin, sepse deri në kohën kur nuk i kemi bashku këto të dyja, Operatorët privatë kanë operu vetëm kur iu ka konvenu.” – deklaroi Rama, të premten, më 31.01.2025.
Në anën tjetër, Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje akuzoi Ramën për mashtrim, gjersa tha se këto linja nuk qarkullojnë.
“Këto linja nuk qarkullojnë. Ti po thua se ato janë duke u mbajtë, mirëpo ato shkojnë nga Prishtina drejt në Teneshdoll dhe nga Prishtina në Sharban, pa u ndalë dhe pa i marrë banorët nëpër Stacionet përkatëse.” – tha Osmani.
Kryetari i Prishtinës tha se janë në pritje të një përgjigjeje të zëvendësministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për të treguar se ku mund të ndalen autobusët: edhe në zonat ndërurbane, edhe të trafikut urban – duke thënë se është çështje javësh, derisa ky problem me Operatorët e Komunës së Podujevës të zgjidhet përgjithmonë.
“Po më vjen keq për fjalorin që po e përdor. S’ka kurrfarë mashtrimi këtu. Ka përmirësim në secilën pjesë të Kryeqytetit, nëse dalin probleme gjatë përmirësimit, siç i kemi tash me linjat ndërurbane. Ne kemi marr iniciativë të menjëhershme për përmirësimin e kushteve, pikërisht për qytetarët e këtyre zonave, të Kryeqytetit e të gjitha. Derisa ata i kanë pagu dy bileta, tash i paguajnë vetëm dy.” – shtoi Rama në seancën e rregullt të Kuvendit të Prishtinës.
Nga 02.01.2025 qytetarët e Prishtinës kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat – përfshirë Operatorët privatë, që po ashtu operon sipas këtyre kushteve.
Çmimet e biletave – sipas këtij Vendimi – që aplikohen edhe në linja që lidhin fshatrat me qytetin janë si në vijim: 0.50 cent për një udhëtim të vetëm; 0.80 cent për biletën ditore (e vlefshme për të gjitha linjat); 4 euro për biletën javore; 12 euro për biletën mujore për studentë; 13,50 euro për biletën mujore për qytetarë. Një biletë e tillë mund të përdoret brenda 12 orëve në secilën linjë të trafikut urban.
Ndërkaq, më 16.01.2025, pjesëtarë të Shoqatës së autobusëve “Llapi”, të linjës Podujevë – Prishtinë patën protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj Vendimit të Komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban – përfshirë Operatorët privat që lidhin fshatra të Komunës.
Sipas tyre ky Vendim i Komunës i dëmton ekonomikisht. Si shenjë proteste, pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë nuk i kanë lejuar të qarkullojnë autobusët që janë të Komunës së Prishtinës.