Këtë të enjte, Krimet Ekonomike kanë bastisur Ministrinë e Bujqësisë.
E në polici është shoqëruar zyrtari i kësaj ministrie, Bedri Dobra, nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje.
Pas intervistimit të tij nga ana e policisë, Dobra ka reaguar edhe në rrjetet sociale.
Ai madje thotë se krejt kjo që ndodhi sot është “një padrejtësi e madhe”, teksa e vë në dyshim edhe vërtetësinë e kronikës së publikuar në një televizion për keqpërdorimin e mbi 60 mijë eurove.
Ai pati një kërkesë për mediat që “të kërkojnë falje” dhe, siç thotë ai, “të paraqesin të vërtetën ashtu siç është”.
Dobra tha po ashtu se Ministria “tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte” në faqen e saj zyrtare.
Televizioni Koha raporti dje se Ministria e Bujqësisë dyshohet për keqpërdorimin e mbi 60 mijë euro, të cilat, sipas kronikës, janë dhënë për të pastruar objektin e shfrytëzuar nga AAK-ja deri vonë në qendër të Prishtinës. Por, sipas kronikës, në momentin kur AAK-ja ka dalë nga ai objekt, nuk ka lënë asgjë prapa për t’u pastruar, prandaj dyshohet se këto mjete janë keqpërdorur.