Pasditen e 29 dhjetorit nisi heqja e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës. Për gati tri javë, grupe serbësh mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Largimi i bllokadave nisi pas një takimi që mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Sipas informacioneve të publikuara tashmë, barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut. Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut janë parë njerëz me maska.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit. Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.
“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.
Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.
Ai përshëndeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në një postim në Twitter.
“Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”, shtoi Borrell.
Ai, po ashtu, lavdëroi punën e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it lidhur me këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thanë më 28 dhjetor se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.







