Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u shpreh sot pas vendimitpër Dejan Pantiqit për t’u dërguar në arrest shtëpiak, se përfaqësuesit e kësaj liste kanë folur me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, dhe se i cili iu ka thënë që “”do të ishte mirë që hiqeshin barrikadat.”
“Pas këtij takimi do të flasim me njerëzit tanë në Kosovë e Metohi. Morëm lajme të rëndësishme për lirimin e Dejan Pantiqit, Nedeljkoviqit dhe personave tjerë të arrestuar. Kemi lexuar për garancitë e BE-së dhe ShBA-ve se s’do të ketë më arrestime të njerëzve tjerë, duke marrë pjesë në protestat paqësore të shkaktuara nga terrori i Kurtit. Kemi marrë garanci të reja nga KFOR-i se nuk do të ketë dislokim të forcave të sigurisë së Kosovës në veri të vendit,” – u shpreh ai për TV Pink.
Rakiqi tha se Vuçiq kishte thënë që ishte mirë të hiqen barrikadat.
“Ne nuk kemi besim në Qeverinë e Kurtit. Mund të them se nuk u besojmë as garancive ndërkombëtare. I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq të dëgjojë përfaqësuesit e popullit në barrikada. Ne do të shkojmë te ai me kërkesa të qarta. Ne i besojmë vetëm atij,” – vazhdoi më tej Rakiq, ish ministër në Qeverinë Kurti.
Më tej, kreu i Listës Serbe u shpreh që serbët e dinë se presidenti Vuçiq ka shumë presion ndërkombëtar.
Më herët ndërkohë u publikua komunikata e përbashkët e Departamentit amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Evropian që besohet të jetë e lidhur me vendimin e sotëm për ish-policin Dejan Pantiq.
“Është fitore e madhe për popullin serb në Kosovë dhe Metohi dhe tregon se Dejan Pantiqi nuk ishte fajtor, që fakti se ai u akuzua për ndonjë lloj terrorizmi ishte një shprehje e konfrontimit politik të Albin Kurtit me serbët, dhe mbi të gjitha me Djean Pantiqin…” – tha ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovëndhe Metohinë, Petar Petkoviq.
Petkoviq shtoi se kurrë më parë nuk kanë marrë garanci më të forta nga ShBA-ja dhe BE-ja sa i përket kërkesave të serbëve.
Mes tjerash në këtë komunikatë do të flitej edhe për garancinë që kanë marrë nga lidershipi kosovare se nuk kishte lista të arrestimeve. Po ashtu aty ndodhet edhe ky paragraf:
“Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.”
Barrikada në fjalë konsiderohej “paqësore” nga ana e kësaj komunikate.
Duhet të kujtojmë se barrikadat ishin vënë pikërisht pas arrestimit të z. Pantiq, i cili më vonë mori masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dyshimet se ishte i përfshirë në veprime ‘terroriste’./Nacionale