Petrit Hajdari është larguar nga drejtimi i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas.
Ai e ka bërë të ditur lajmin me anë të një postimi në Facebook ku njoftoi se e vendimin e ka marrë duke mos dashur t’u bëhet pengesë proceseve të nevojshme brenda partisë.
“Me besimin se duke e çuar përpara PDK-në e çojmë përpara Kosovën, angazhimi ka qenë i përhershëm e i përditshëm. Megjithatë, duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qëndrore”.
“E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës në zgjedhjet më të vështira nacionale ndonjëherë. Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë.
E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim”.
Hajdari mes tjerash ka shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët, transmeton Klankosova.tv.
“U jam mirënjohës Asamblistëve, shtabit të degës dhe kryesisë së degës për angazhimin vetëmohues në zgjedhje. Gjithashtu, i falenderoj kandidatët për deputetë nga komuna jonë që bashkërisht kanë bërë që PDK-ja të ketë rezultat të mirë”.
“Do ta vazhdoj kontributin me besimin që e mira e PDK-së është e mira e vendit”, deklaroi ai.







