Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të operacioneve të saj, duke shkaktuar bllokim të linjës kryesore të transportit në relacionin Podujevë-Prishtinë.
Ky vendim është marrë pas akuzave ndaj Komunës së Prishtinës për, siç thuhet, shkelje të procedurave ligjore dhe favorizim të padrejtë të operatorëve të rinj të transportit.
Në një deklaratë publike, shoqata ka shpjeguar se veprimet e komunës, përmes lëshimit të linjave të reja pa respektuar të drejtat e operatorëve ekzistues, kanë sjell dëme të mëdha financiare që kërcënojnë falimentimin e plotë të biznesit dhe humbjen e vendeve të punës.
“Ky është një sulm i hapur ndaj të drejtave tona dhe një kërcënim serioz për të gjithë sektorin e transportit publik. Kërkojmë ndërhyrje urgjente të institucioneve për të ndaluar këto padrejtësi dhe për të siguruar një treg të drejtë dhe të barabartë”, thuhet në reagimin e tyre.
Shoqata ka kërkuar gjithashtu që Komuna e Prishtinës të rishqyrtojë vendimet e saj dhe të respektojë konkurrencën e ndershme dhe kornizën ligjore në fuqi.
Pezullimi i kësaj linjeje, një ndër më të frekuentuarat në vend, pritet të shkaktojë vështirësi të mëdha për udhëtarët e përditshëm derisa të gjendet një zgjidhje. Autoritetet ende nuk kanë bërë një reagim zyrtar mbi këtë çështje.