Sot, në Komunën e Podujevës u mbajt një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, gjatë të cilit u diskutua për bashkëpunimin institucional, me theks të veçantë në çështjet e sigurisë në vend.
Pas takimit, Kryetari i Komunës, bashkë me Ministrin Sveçla, Sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Genc Metaj, Nënkryetarin e Komunës, z. Fahri Restelica, si dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike, z. Bahri Selimi, vizituan Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë. Me këtë rast u bë pranim-dorëzimi i një automjeti modern për fikjen e zjarreve, donacion nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Automjeti i ri, i teknologjisë së fundit, do të forcojë ndjeshëm kapacitetet operacionale të zjarrfikësve në Podujevë. Ai mundëson fikjen e zjarreve në objekte me lartësi deri në 32 metra, si dhe shërben për evakuimin e qytetarëve nga ndërtesat e larta në raste emergjente, duke rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë për qytetarët.
Kryetari i Komunës e falënderoi Ministrin Sveçla për këtë ndihmë të rëndësishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Kosovës po i ofron Komunës së Podujevës, në funksion të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.







