Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, kanë pritur në takim kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, Kastriot Lajçi, si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Sylejman Latifi, dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Gafurr Sllmaniku.
Në këtë takim u diskutua për pasojat e fatkeqësive natyrore, me theks të veçantë për vërshimet e fundit dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Sipas kryetarit Bulliqi, Komuna e Podujevës renditet në mesin e tri komunave në nivel vendi që kanë pësuar më së paku dëme nga vërshimet e fundit. Ai theksoi se kjo është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të qeverisjes lokale në pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve.
Bulliqi nënvizoi se Komuna do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente dhe se investimet për përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe parandalimin e vërshimeve do të jenë prioritet edhe në të ardhmen.







