Video//Kallxo.com
Pasi ka përfunduar protesta e serbëve e organizuar nga Lista Serbe në Mitrovicë të Veriut, pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës kanë filluar t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre në stacionin policor atje.
Këto zhvillime vijnë një ditë pasi u mor vendimi që të bojkotohen institucionet e Kosovës nga përfaqësuesit serbë.
Komandantët e Policisë së Kosovës në rajonin e veriut të vendit, që i përkasin komunitetit serb, të shtunën e 5 nëntorit kanë zhveshur uniformat e tyre para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan. Këtë veprim simbolik ata e kanë bërë pas deklarimit se japin dorëheqje nga detyrat e tyre në Policinë e Kosovës.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse këtë institucion e kanë braktisur edhe rreth 400 pjesëtarë tjerë të komunitetit serb në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.