Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me operacion kontrollin e realizuar në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim (DShAM) nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale nga zyrtarë të kësaj drejtorie.
Në njoftim bëhet e ditur se janë sekuestruar prova dhe dëshmi relevante që lidhen me rastin, transmeton Klankosova.tv.
“Janë arrestuar dy të dyshuar, zyrtarë të DShAM-së: G.J., (viti i lindjes 1975, femër kosovare) dhe F.Sh., (viti i lindjes 1979, femër kosovare). Në cilësi të të dyshuarit është arrestuar edhe D.K., (viti i lindjes 1988, mashkull, shtetas i huaj). Po ashtu në cilësi të të dyshuarës është intervistuar edhe E.Q., (viti i lindjes 1972, femër kosovare)”, u bë e ditur në njoftimin e policisë.
Personat e lartcekur, dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, duke përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndaj të dyshuarave është iniciuar rasti karshi veprave penale: “keqpërdorimi pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit”, “falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “dhënia e ryshfetit”.
Me aktvendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse ndaj të dyshuarës E.Q., rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.







