Prokurori special, Naim Abazi, ka deklaruar se aksioni i Policisë së Kosovës, të premten është duke u zhvilluar në pronat të cilat tanimë janë evidentuar si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiç.
Abazi, ka thënë se aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente.
“Ky aksion është bërë me urdhër të Gjykatës, me kërkesë të kësaj Prokurorie në pesë lokacione të ndryshme në komunat e pjesës Veriore të Kosovës”.
“Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiç, ndërsa sa i përket rezultateve ose gjërat që kemi gjetur në këto lokacione, provat qoftë ato materiale dhe ato sendeve të cilat ne konsiderojmë të sekuestrohen do t’ju njoftojmë me kohë përmes një kumtese nga zëdhënësit e kësaj Prokurorie”, tha Abazi.
Ai shtoi se janë duke i evidentuar pronat të cilat dyshohet se janë në emër të Radojiçiçit dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.
“Gjithçka që i përket operacionit dhe çështjeve të realizimit sa i përket kësaj urdhërese është përkujdese Policia e Kosovës me detaje”.
“Ne jemi akoma duke i evidentuar pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferuar këto prona. Por, për këtë rezultatin e tyre më saktësisht do t’ju njoftojmë në një njoftim të radhës pasi të përfundon në tërësi operacioni”, tha Abazi për ‘Betimin për Drejtësi’.
Lajmi në përditësim…







