Projekti për të ndërtuar kapacitete energjetike solare 100 megavatësh në sipërfaqe të tokave djerrë të termocentraleve Kosova A, ide e zyrtarëve të KEK-ut, tani është lënë në harresë. Arsyet, domosdo, duhet t’i bëjnë publike inicuesit e idesë, pra zyrtarët e kompleksit elektroenergjetik të vendit. Ata duhet t’i dijnë shkaqet dhe arsyet për këtë “huqje” të realizimit të një ideje të leverdishme nga të gjitha anët, por edhe të mundshme goxha lehtësisht për realizim.
Në fillim të këtij viti, më saktësisht diku në fund të janarit, ishte plasuar nga zyrtarët e KEK-ut një informacion- nismë e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës për të ndërtuar një kapacitet energjetik solar 100 megavatësh në sipërfaqe të tokave të termocentraleve Kosova A.
Saktësisht, ishte paraparë që ky stabiliment për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të diellit, të ndërtohet në deponinë e hirit të termocentraleve Kosova A, tokë që në sipërfaqe goxha të madhe është djerrë. Kjo nismë nga Kompleksi Elektroenergjetik kosovar, e bërë atëherë publike në një nga mediet kosovare nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u vlerësua nga opinioni në Republikën tonë si një ide e mirë, e qëlluar dhe u mirëpritë dhe u përshëndet me dashmirësi gjithandej në opinionin e vendit. U tha pa ngurrim nga analistë, njohës të zhvillimeve energjetike, nga qytetarë të rëndomtë dhe nga aty – këtu edhe nga zëra zyrtarë se është e favorshme dhe gjithanshëm e mirë, dhe jo vetëm që përkon me momentumin e qëlluar, kur kriza energjetike ishte shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet të energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.
Prandaj, në njëfarë mënyre, opinioni kërkoi që ideja e KEK-ut të nisë të jetësohet sa më parë, madje me urgjencë, duke insistuar që të përfundojnë sa më shpejtë të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë vendosja e paneleve solare në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që në janar vinte sikur e porositur për këtë dedikim.
Sipas drejtorit Krasniqi, nga ana e KEK-ut ishin janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë (në janar të këtij viti, pra), ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Sipas drejtorit, KEK-u atëherë kërkonte të zhvillojë një park solar 100 MW në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’, dhe ai besonte se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti.
“Qasja jonë është se kemi dërguar propozimet tona, që përveç pjesës së investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, parashohim të ndërtojmë edhe parqe solare”, saktësonte Krasniqi në fillim të shkurtit të këtij viti, duke njoftuar se “KEK-u tashmë është në bisedime me KFW-në gjermane që të fillohet projekti 100 megavatësh i energjisë solare në ish-deponinë e Kosova A”.
Sipas Krasniqit, do të përshpejtoheshin të gjitha punët për ta përmbyllur sa më shpejtë këtë nismë me bindjen dhe besimin që realizimi i këtij projekti, së paku i gjysmës së tij, nuk duhet të zgjatej më shumë se një vjet. Kjo ide u mirëprit dhe u përkrah gjithanshëm edhe nga mediet, ndër to edhe nga Buletini Ekonomik. U vlerësua se nëse del të jetë serioze nisma e KEK-ut dhe nëse ka vendosshmëri tek autoritetet e Korporatës sonë elektroenergjetike, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë. Dhe, mundësi ka, u tha nga njohësit e potencialeve të energjisë së rinovueshme që ka Kosova. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës.
Prandaj, paralajmërimi i ndërtimit të një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohej për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, ishte ogur i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk do të kishte mundësi të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës.
Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar diku edhe kaq mjete sa qeveria ka dedikuar për zgjidhjen momentale të krizës, ose për blerjen e përkohshme të energjisë së munguar elektrike.
Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u, i parashikuar të ndërtohet në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se sa kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Sepse, dihet që ndërtimi i centraleve solare kushton goxha më pak sesa i atyre me erë. Dhe, më në fund u tha nga njohës të ecurive energjetike në vend, që nisma ishte e mirëseardhur edhe për të shërbyer si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare.
Kosova mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta. Por, megjithë këto favore që do të kishte ndërtimi i këtij impianti solar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe për vendin në përgjithësi, ai u heshtë në ndërkohë me kalimin e muajve.
Tani, kur kanë mbetur vetëm edhe dy muaj deri në përmbyllje të vitit, askush, as ndër inicuesit e idesë për këtë projekt, pra as zyrtarë të KEK-ut, as të ministrisë së Ekonomisë, nuk flasin më për mundësitë e ndërtimit të Parkut Solar 100 megavatësh në djerrinat e deponisë së hirit pranë termocentraleve Kosova A. Është heshtur fare kjo ide e “përqafuar” gjithanshëm nga kosovarët atëherë. Deri tash, madje, nuk janë sqaruar fare as arsyet e heshtjes së kësaj nisme dhe harresës për këtë iniciativë. Ideja, pra u heshtë dhe u harrua ende pa nisur.
“Panele solare në deponinë e KEK-ut, një nismë e mirë më në fund” e pati titulluar Buletini Ekonomik, inicimin e KEK-ut për ndërtimin e kapacitetit energjetik solar 100 megavatësh në deponinë e hirit të termocentraleve. Ne vazhdojmë të mendojmë që ishte një nismë e mirë, por çka u bë me këtë nismë, pse është heshtur kjo iniciativë? A do të ndërtohet ky kapacitet solar, siç është premtuar në KEK në fillim të këtij viti? Pse nuk janë më këmbëngulës për të nisur këtë projekt të energjisë së rinovueshme, aq të kërkuar edhe te ne, ishin interesimet konkrete të Buletinit Ekonomik, që në formë pyetjesh, siç i kishin kërkuar nga Shërbimi për informata i Koorporatës, i dërguam që para një muaji, te zyrtarët dhe te drejtori ekzekutiv i KEK-ut, dhe akoma asnjë përgjigje të vetme nuk e morëm. I pyetëm zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës se a mendojnë edhe më tutje se me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë vendosja e paneleve solare në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim dhe çfarë veprimesh kanë ndërmend, ose se a kanë planifikuar ta përmbyllin më shpejtë dhe suksesshëm këtë projekt… Dhe në këtë kontekst, si janë pritur propozimet e tyre dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, ku, siç patën thënë ata vet në mediet kosovare, përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme.
“Më konkretisht, keni deklaruar se “KEK-u po kërkon të ndërtojë një park solar 100 MW në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’, dhe kishit besimin fillimisht se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti? A është përkrahur ky propozim i juaji nga qeveritarët? Dhe pse fitohet përshtypja në publik se KEK-u, zyrtarët e kësaj koorporate nuk janë mjaft kërkues dhe as të vendosur për nisma të këtilla, pra për të ndërtuar ndonjë kapacitet të energjisë ripërtëritshme, që do të bëhej më shpejtë dhe më me pak para, siç do të ishte projekti solar mbi djerrinat e KEK-ut?”, vazhdonin pyetjet tona.
Por, as në këto pyetje Buletini Ekonomik nuk mori përgjigje sot e kësaj dite nga autoritetet e korporatës.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KEK-ut thoshte në fillim të këtij viti, me rastin e bërjes bublike të idesë për parkun solar, se do të përshpejtohen të gjitha punët për ta përmbyllur sa më shpejtë këtë nismë me bindjen dhe besimin që realizimi i këtij projekti, së paku i gjysmës së tij, nuk duhet të zgjatet më shumë se një vjet. Kjo do të thotë se po të fillohej që në pranverë realizimi i këtij projekti, tani në përmbyllje të vitit, së paku gjysma e tij do të ishte thuajse e ndërtuar.
Ndërkohë, siç po shihet, projekti tani është lënë në harresë. Arsyet, domosdo, duhet t’i bëjnë publike inicuesit e idesë, pra zyrtarët e kompleksit elektroenergjetik të vendit. Ata duhet t’i dijnë shkaqet dhe arsyet për këtë “huqje” të realizimit të një ideje të leverdishme nga të gjitha anët, por edhe të mundshme goxha lehtësisht për realizim. Shkurt e shqip, Kosova, Ministria e Ekonomisë dhe KEK-u në veçanti, edhe nëse nuk kanë arritur të sigurojnë mjetet financiare të nevojshme për këtë projekt nga institucionet ndërkombëtare, kanë pasur mundësi reale që me mjete vetanake ta nisin dhe ta përmbyllin projektin. Kosova sivjet ka pasur goxha para të dedikuara për investime kapitale dhe të cilat nuk janë shpenzuar.
Një shumë e vogël mjetesh nga 700 milionë euro që po “mrizojnë” dhe po zhvlerësohen ndjeshëm e përditë nga inflacioni, do të ishin një investim i mirë, i qëlluar dhe i dedikuar për një projekt kapital aq të nevojshëm për vendin. Por, edhe KEK-u me mjete të veta do të mund të kontribuonte në realizimin e impiantit solar. Paratë e realizuara nga eksporti i tepricave (diku deri në gusht, siç kanë pohuar vet zyrtarët e KEK-ut, janë realizuar diku rreth 80 milionë euro), shumë më mirë do të ishte të destinohen në realizimin e projektit të përmendur se sa të shpenzohen kot së koti. /Buletini Ekonomik/