Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin dënues dhe aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në rastin ndaj të pandehurit S.R., i akuzuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sllobodan Radenkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmin e 2023-ës ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan..
Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, vendimi i gjykatës përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe adresimit të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Prokuroria theksoi se aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë dëshmon funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të rasteve penale.
Në reagimin e saj, institucioni vlerësoi se ky aktgjykim njëkohësisht përforcon sundimin e ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë se veprat penale ndaj personave zyrtarë dhe rendit publik nuk do të tolerohen.






