Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të premten në Gjilan, ku një shtetas turk dyshohet se tentoi t’i japë fund jetës duke prerë fytin me një mjet të mprehtë, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Omur Can (37 vjeç), shtetas turk, i cili punonte në mobilierinë “Swiss Group Shpk” në rrugën qarkore “Nato 99” në Gjilan.
Sipas informatave, rasti ka ndodhur më 16 maj 2026 rreth orës 15:00 në banesën ku viktima jetonte pranë punëtorisë.
Sinjali mëson se viktima dyshohet se me një skalper i ka shkaktuar vetes plagë të thella në pjesën e fytit.
Burimet bëjnë të ditur se pak çaste pas vetëlëndimit, ai kishte telefonuar punëdhënësin e tij me kamerë të hapur, duke i treguar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej.
Punëdhënësi, i cili në atë moment ndodhej në Ferizaj, kishte alarmuar menjëherë punëtorët tjerë që të shkonin në banesën e viktimës, ndërsa paralelisht ishte njoftuar edhe emergjenca dhe Policia.
Sinjali mëson se viktima fillimisht është dërguar në Emergjencën e Gjilanit, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë, ku sipas informacioneve aktuale ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe krim-teknika, të cilët kanë sekuestruar edhe skalperin që dyshohet se është përdorur gjatë aktit.
Burimet bëjnë të ditur se bashkëshortja e viktimës, përmes një bisede telefonike të incizuar, ka deklaruar se i njëjti edhe më herët në Turqi kishte pasur probleme psikologjike dhe kishte tentuar vetëvrasjen.
Sipas hetimeve preliminare, viktima kishte qenë në punë gjatë ditës, por rreth orës 14:00 kishte kërkuar të largohej pasi nuk ndihej mirë.
Rasti është iniciuar si “Vetëvrasje në tentativë”.
Hetimet janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali






