Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me një propozim për formimin e një qeverie tranzicioni, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë shqiptare në vend.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media.
Ai ka deklaruar se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pari që e ka pranuar këtë ofertë.
“I kam njoftuar të gjithë liderët e partive politike shqiptare dhe do të jetë çështje e partive ndamas se çfarë do të thonë. Mund të them që z.Haradinaj më ka thënë se pranon një ide të tillë, por duhet ta pyesni atë”, tha Abdixhiku.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi ka mbledhur kryesinë e partisë së tij, ka dalë me një qëndrim në lidhje me letrën e Albin Kurtit me të cilën e ftoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicion bashkëqeverisës.
Duke u arsyetuar se “vendi sot është në krizë”, Abdixhiku doli me një propozim të ri, për krijimin e një qeverie siç tha ai unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare./Arbresh.info