Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç dhe të gjithë pensionistët.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga këto mjete do të përfitojnë rreth 700 mijë persona.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Murati ka thënë se i kanë bërë përgatitjet e nevojshme edhe mjetet tashmë janë ndarë.
Ai ka thënë se do të provojnë që gjatë ditës të bëjnë ekzekutimin e shtesave.
“Jemi duke bërë përgatitjet që të provojmë që sot gjatë ditës të bëhet ekzekutimit i shtesave për fëmijë dhe pensionet”, ka theksuar Murati.
Ai ka thënë se ka informata që për të hequr dorë nga përfitimi i këtyre mjeteve kanë aplikuar rreth 60 persona.