Llapi ka pësuar humbje nga Dukagjini i Klinës me rezultat minimal 1-0.
Por kjo humbje nuk i ka pëlqyer askujt në kampin llapjan, madje presidenti i tyre Beqir Batatina ka dalë me një reagim të gjatë.
I pari i klubit llapjan ka publikuar një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook.
Ai ka thënë se Llapi është dëmtuar për t’u favorizuar një klub tjetër që të mbijetojë në elitë.
Postimi i plotë nga Beqir Batatina:
Duke analizuar me detaje kampionatin në ciklin e parë, ne jemi dëmtuar në dy ndeshje ku kemi humbur 6 pikë.
Me Prishtinën u pranua një gol që nuk ishte gol, ndërsa me Dukagjinin u pranua një gol pas një faulli ku topi ishte në lëvizje dhe as nuk dihej se ku ishte faulli. Gjithashtu, në fund të ndeshjes, një penallti e qartë ndaj Gashijanit nuk u akordua për Llapin. Kjo situatë nuk kërkon shumë analizë.
Nuk kam dashur të flas deri tani, por nga tash e tutje kërkoj llogari. Kush e pengon Llapin, një klub që ka bërë një organizim të madh? Pse duhet të dëmtohet një klub si Llapi për të favorizuar një klub tjetër që të mbijetojë në elitën e futbollit? A po duhet që edhe kryesia e Llapit të mos investojë fare dhe ta përfundojmë kampionatin me 200 mijë euro, apo pse duhet të shpenzojmë 1.2 milion euro dhe të humbim mundin dhe djersën?
Si president i klubit kërkoj drejtësi, asgjë më shumë. Nuk është ky kampionati i parë ku Llapi është dëmtuar – janë tre kampionate ku kemi pasur projekte madhore dhe po duket se tash i ka ardhur fundi. Ose ndryshohen gjërat, ose duhet të mendojmë për të mos investuar më kot, sepse investimi po shkon në dëm të tonin. Nuk kam reaguar më herët, edhe pse kam analizuar të gjitha ndeshjet. Në disa raste jam informuar se edhe delegatët e ndeshjeve janë munduar të ndikojnë tek gjyqtarët gjatë ndeshjes, siç ka ndodhur në një ndeshje në Podujevë, por nuk kam dashur të reagoj.
Edhe pse nuk jam fizikisht në Kosovë dhe po mundohem ta ndihmoj sadopak rininë dhe futbollin e Kosovës nga Perëndimi, më duket e pakuptimtë pse nuk ka drejtësi në arbitrim dhe pse nuk fiton më i miri. Po bëhen 11 vite që ky klub është organizuar në mënyrë të shkëlqyer.
Shumë donatorë dhe sponsorë kanë ardhur e kanë ikur, por ne kemi bërë një super organizim. Nuk kemi kërkuar me çdo kusht të dalim kampion për 11 vite, edhe pse kemi humbur 3 kampionate që nuk i harrojmë. Por më duket e pakuptimtë të investojmë kur djersa e stafit teknik dhe lojtarëve po humbet.
Si President dua të di: a ka dikush inate personale ndaj Llapit? A po ju dhemb sepse trajneri i Llapit ka arritur të ndërtojë një organizim dhe një projekt madhor, ndoshta më i mirë se sa në kombëtare?
Pse duhet të dëmtoni ekipin, trajnerin dhe stafin? Jam i shqetësuar nga mungesa e drejtësisë ndaj skuadrës ku unë jam President.
Presidenti i KF Llapi Z. Beqir Batatina