Pas vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%, ka nisur debati për ndikimin e saj në industrinë e përpunimit të miellit dhe çmimin e bukës. Qëndrimet e përfaqësuesve të këtij sektori janë të ndara.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullinistëve të Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se kjo rritje nuk do të reflektojë në ngritje të çmimit të miellit.
“Jo me këtë përqindje të rritjes së rrymës nuk parashohim ta rrisim çmimin e miellit”, u shpreh Zejnullahu.
Mirëpo një tjetër zë i rëndësishëm i kësaj industrie, Rexhep Rama, pronar i një fabrike të miellit në Kosovë, ka një qëndrim krejtësisht të kundërt. Ai paralajmëron se rritja e çmimit të rrymës do të detyrojë fabrikat të rrisin çmimin e miellit, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e bukës.
Çmimi i rrymës u rrit, po u rrit shumë. Do ta kemi problem – ne ashtu kështu kemi pas një çmim jo të mirë. Tash pas kësaj rritje, do të rrezikojmë t’i mbyllim fabrikat krejt, sepse nuk mund ta përballojmë”, ka deklaruar Rama për RTV21.
Sipas tij, me çmimet aktuale prodhimi nuk është i qëndrueshëm ekonomikisht. Ai shtoi se në Gjilan një bukë tash kushton 60 cent, por pas rritjes së kostove mund të shkojë deri në 80 cent. Edhe çmimi i miellit pritet të pësojë rritje – nga 34 cent në 40 cent për kilogram.
“Ne e rrisim çmimin e miellit, furrtarët të bukës. Me këtë çmim aktual nuk mund të punojmë”, theksoi ai.
Kjo situatë ka nxitur shqetësim për ndikimin që rritja e tarifave të energjisë do të ketë në koston e jetesës për qytetarët, ndërkohë që sektori i prodhimit vendor po përballet me sfida të reja financiare./IndeksOnline/