Premtimet për ulje të çmimit të produkteve bazike ushqimore mbeten vetëm “fjalë të ëmbla” për elektoratin nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai gjatë kohës sa ishte në opozitë, më 2014-ën, premtonte se me ardhjen në pushtet të tij do të uleshin çmimet e vajit ushqimor, sheqerit, qumështit dhe bukës.
“TVSH bëhet 0 për gjërat elementare ushqimore. Buka, me Lëvizjen Vetëvendosje në Qeverisje nga nga 36 centë, bëhet 31 centë. Sheqeri nga 72 centë kilogrami, bëhet 62 centë. Qumështi nga 91 centë bëhet në 78 centë. Vaji nga 1,23 centë bëhet 1,06 centë. Sepse, ne duam që nevojave elementare t’ua heqim TVSH-në dhe t’i lirojmë, ndërkaq lluksi që i korrespondon regjistrit të dëshirave, ai të shtrenjtohet”, deklaronte Kurti sa ishte në opozitë, raporton Demokracia.com.
Megjithatë, dje është raportuar se kilogrami i sheqerit vendor po shitet 1,45 euro. Për ta ballafaquar me atë çfarë e kishte thënë Kurti, sheqeri kushton 72 centë më shtrenjtë sesa ishte premtuar nga kryetari i VV-së para se të vinte në pushtet. Sipas përditësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), pesë kilogramë sheqer në mesin e muajit mars kanë variuar me çmimin 5,83-5,63 euro.
Gjithnjë duke iu referuar të dhënave të ASK-së, një liter vaj nëpër marketet kosovare po shitet 1,83 euro. Pra, 77 centë më shtrenjtë sesa kishte gënjyer Kurti se do ta lironte atë me Qeverisjen Vetëvendosje.
Çmimi mesatar i bukës ka ngelur i njëjtë që nga rritja e fundit nga viti i kaluar – 50 centë, përkundër se në disa qytete po shitet edhe për 60 centë. pra, 29 centë më shtrenjtë sesa çmimi i premtuar i Kurtit.
Litra e qumështit tetrapak javën që shkoi kushtonte 1,22-1,24 euro, sipas të dhënave zyrtare. Gjegjësisht, 46 centë më shtrenjtë sesa premtohej që do të kushtonte në katër vjet qeverisje të VV-së.
Norma e inflacionit për muajin shkurt të këtij viti ka shkuar në 10,5 për qind. Sipas ASK-së, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 10.5% në muajin shkurt 2023, krahasuar me muajin shkurt 2022.
Sipas ASK-së, kjo normë shpjegohet me rritjen e lëndëve djegëse të ngurta, qumështit dhe vezëve e produkteve të tjera bazike.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (27.7%); qumësht, djathë dhe vezë (26.1%); vajra dhe yndyra (22.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (20.9%); bukë dhe drithëra (20.7%); mish ( 17.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (17.5%); energji elektrike (15.8%); prodhime ushqimore (15.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (15.7%); shërbime për transport (13.3%); pije alkoolike (10.9%); pemë (10.6%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (10.3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (9.7%); perime (9.5%); shërbime hoteliere (9.5%); kujdes personal (9.4%); kafe, çaj dhe kakao (8.7%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (8.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (7.0%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.0%); gjëra personale (6.8%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5.7%); duhan (5.4%); blerje e automjeteve (4.4%); pajisje shtëpiake (4.4%), veshje (4.3%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (2.3%); shërbime ambulantore (1.8%)”, u bë e ditur në njoftim të tyre.
Qeveria ende nuk ka marrë asnjë veprim konkret, përveç Projektligjit të përcaktimit të çmimit tavan për produkte bazike. Ky projektligj është rrëzuar në lexim të dytë nga opozita, pasi që kanë vlerësuar se bie ndesh me tregun e lirë. /Demokracia.com/