Çmimi mestar i energjisë elektrike ka arritur nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit në Kosovë. Ndërkohë, paralajmërohet sërish për rritjen e mundshme nga 1 prilli i vitit 2025.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) thonë se kompanitë energjetike KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike.
Klan Kosova pati raportuar qysh para rreth 3 javësh se mundësia e rritjes së çmimit të rrymës është reale, dhe se kërkesa e operatorëve është që kjo rritje të shkojë deri në 30%. Vendimi do të merret më së largu deri më 1 prill.
E Kosovapress ka bërë një përmbledhje të çmimit të rrymës në 10 vitet e fundit.
Kujtojmë se nga prilli i vitit 2023, deri më 31 mars 2024, për konsumatorët që shpenzuan më pak se 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës ishte 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzonin më shumë se 800 kilovatë, çmimi ishte prej 14.45 centësh, ose mbi 100 për qind më shtrenjtë krahasuar me vitin 2013.
Ndërkohë më 2 prill 2024, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte marrë vendim për lirim simbolik të çmimit prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Ky vendim erdhi si rrjedhojë uljes së çmimit të rrymës për import.
Sipas ZRrE-së, pas këtij vendimi, tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.
Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, më 2023 për kategorinë e konsumatorëve familjarë, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 7.12 centë për kilovat, që ishte më i lartë për 15.93 për qind se në vitin 2022 kur ka qenë 6.14 centë për kilovat, ndërsa për konsumatorët jo-familjarë, çmimi mesatar i energjisë është 9.36 centë kilovat që është më i lartë se çmimi mesatar në vitin 2022 kur ka qenë 9.27 centë për kilovat.
Dhjetë vjet më herët, në vitin 2013, çmimi mestar i rrymës për familjarë ishte 5.15 centë për kilovat, ndërsa, 7.21 centë për ata jo-familjarë.
Ndërsa, sipas rregullatorit të energjisë, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe jo-familjarë për dhjetë vitet e fundit, çmimet nuk përfshijnë TVSH-në.
Tarifa e natës, më e lirë, vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit gjatë muajve të dimrit, dhe prej 23:00 deri në 08:00 gjatë muajve të verës.
Në grafikën më poshtë janë paraqitur çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe jo-familjarë për dhjetë vitet e fundit, çmime të cilat nuk përfshijnë TVSH-në, si dhe për vitin 2024 (31 mars) ku paraqiten çmimet jo-mesatare të rrymës për familjarë.