Serbët po vazhdojnë me protestën e tyre si reagim ndaj incidentit që ndodhi pasditën e të premtes në Shtërpcë, ku të plagosur mbetën dy pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë dalë rrugëve të Shtërpcës, duke bllokuar rrugët, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Raportohet se të njëjtit kanë vendosur edhe një barrikadë.
Për bllokimin e rrugëve, nga Policia i kanë thënë Gazetës Online Reporteri.net se protesta po vazhdon, dhe se në vendngjarje ndodhen edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Në një pikë, kjo protestë edhe ka eskaluar në shpërthim zjarri në rrugë.
Banorët serbë në Shtërpcë po protestojnë pas plagosjes së dy personave, dhe të njëjtit po kërkojnë siguri.
Sulmi ndaj dy personave në fshatin Drajkovc të Shtërpcës – ku të plagosur mbetën një i mitur rreth 11 vjeç dhe një i ri i moshës 21 vjeç – ndodhi të premten rreth orës 15:20.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, duke arrestuar të dyshuarin A.K, 33 vjeçar.
Të njëjtit i kanë konfiskuar një armë zjarri me të cilën dyshohet se është kryer sulmi.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj deklaroi se i përfshirë në këtë sulm është edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mehaj tha se rasti do të trajtohet konform rregulloreve dhe ligjeve të fuqizuara në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK.
Plagosjen e dy të rinjve serbë e kanë dënuar edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Ata kanë kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë. /Reporteri.net/.







