Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar me tri vjet burgim Haxhi Shalën, dhe me nga dy vjet burgim, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtjarin.
Trupi gjykues ka vendosur që të miratojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë për tre të akuzuarit lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.
Në marrëveshjen mes prokurorisë dhe të akuzuarve për zhdëmtimin e viktimave, palët janë marrë vesh që Haxhi Shala t’i paguajë 400 euro, Januzi 100, ndërsa Bahtjari asnjë cent.
Edhe marrëveshja për zhdëmtimin e viktimave është pranuar nga Gjykata, ku u është dhënë kohë deri të mërkurën.
Shala, Januzi dhe Bahtijari e kanë pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.
Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit.