Një 35 vjeçare është vrarë mbrëmë para hyrjes së klinikës gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Hamide Magashi ishte në javët e fundit të shtatzënisë, saktësisht ishte paralajmëruar që lindjen e foshnjës do ta ketë sot (përmes prerjes cezariane) apo njohur në publik si operacioni.
Por Hamide Magashi mbeti pa shenja jete pikërisht në vendin ku edhe pritej t’i jepte jetë kësaj foshnje.
35 vjeçarja nga fshati Llugaxhi i Komunës së Lipjanit u vra pikërisht nga ish-bashkëshorti, Sokol Halili.
31 vjeçari, Sokol Halili i mori jetën gruas me të cilën ishte në proces të divorcit.
Trupi i pajetë i viktimës mbeti i shtrirë në tokë për disa orë radhazi mbrëmë.
Por kjo nuk është e tëra. Pikëpyetjeve të shumta të këtij rasti iu shtua edhe një, e ajo është se a iu ofrua intervenimi i nevojshëm mjekësor viktimës por edhe foshnjës që kishte brenda vetes.
Jashtë klinikës gjinekologjike ishte parë një punëtorë e QKUK-së e cila e kishte mbuluar trupin e saj të pajetë.
E heshtja e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka vazhduar edhe sot, në lidhje me këtë rast.
Lajmi.net ka kontaktuar pikërisht në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të drejtorisë së kësaj klinike nga ku kanë deklaruar se nuk duan të flasin për këtë rast.
“Është rast tejet i rëndë, tashmë po merret Prokuroria”, u tha në një linjë telefonike.
Pavarësisht kërkesës që në lidhje me këtë çështje të flas drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, bashkëpunëtoret e tij deklaruan se i njëjti gjendet në takim.
“Drejtori gjendet në një takim. Nuk kemi çfarë me thanë, rast i rëndë është por drejtori është në takim nuk është këtu”, u tha nga kjo klinikë.
E nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjithçka çfarë mbrëmë u tha, kishte të bënte me konfirmimin se ka ndodhur “një vdekje”, të cilës madje nuk iu referuan fare si vrasje.
E ishin pikërisht këta të fundit që nuk u deklaruan fare se a u intervenua apo jo në shpëtimin e kësaj foshnje.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje.Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes.Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, u tha nga ShSKUK.
Të njëjtit vazhdojnë heshtjen edhe nga Zyra për Informim, nga ku nuk kanë kthyer fare përgjigje.
Përgjigje në lidhje me faktin se a do të mund të shpëtohej foshnja nga barku i nënës apo jo nuk deshi të japë as u.d. së drejtoreshës së përgjithshme të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi dhe as U.D së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku.
E në kuadër të kësaj vrasje, zhvillime të shumta pati edhe gjatë ditës së sotme.
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim, Sokol Halilin, ndërsa u kërkua edhe bashkëpunimi i qytetarëve në mënyrë që të arrihet sa më shpejtë kapja e tij.
Vetura e të dyshuarit është arritur të lokalizohet nga Policia e Kosovës, ndërsa pas hetimeve e njëjta është kthyer në vendin e ngjarjes.
“I dyshuari Sokol Halili, i lindur më 07.05.1991 nga fshati Godancë KK Shtime, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 30.11.2022, në Prishtinë. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”,thuhej në njoftimin për media.
Kurse nga Gjykata Themelore në Ferizaj sot kanë konfirmuar se 35 vjeçarja e vrarë mbrëmë pati urdhër-mbrojtje për gjashtë muaj dhe se ndaj të dyshuarit ekziston aktakuzë për kanosje.
E se e njëjta ishte keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht nga tashmë ish-bashkëshorti u tha edhe nga motra e viktimës.
Burbuqe Magashi, njëra prej motrave të viktimës deklaroi se e njëjta ishte e keqtrajtuar vazhdimisht nga Sokol Halili, por edhe nga familjarë të tjerë.
Madje ajo tha se i njëjti e kishte ndaluar atë edhe nga puna dhe se ishte rrahur në vazhdimësi.
Ajo theksoi se viktima kishte tentuar edhe të kryente vetëvrasje, si pasojë e dhunës së shkaktuar nga ai.
Burbuqe Magashi rrëfeu se motra e saj tashmë e ndjerë Hamidja ka qenë gjithmonë e mavijosur për shkak se ish-burri ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj. Madje thotë se i njëjti e ka ndalur edhe nga puna dhe të njëjtën e ka mbajtur të izoluar.
“Motra ka punu në komunën e Ferizajt, kur ka qenë e martuar e ka lënë me punu vetëm 1 muaj dhe ka shku u rrokë me ata të komunës dhe e ka ndalë prej punës. Maltretim të madh ka pas. Burri i saj u rrokë me zyrtarë të komunës dhe ja ka ndalë punën….Ka ardhe përmes me qykë të alltisë krejt pleh, këmbët i ka pas krejt vreda. Me krah, me krejt ka qenë pleh….Ajo qaq stres që ka pas 1 muaj s’ka mujt me marrë në kontroll vetën, rrike veç në heshtje. Por e kemi marrë i kemi folë, u përmirësu motra….I ka thanë kur të lindi, fëmijën ta dha. Ai e mbyti motrën dhe evladin e vetë”, rrëfehet .
Për shkak të maltretimit, Hamidja kishte tentuar ta mbyste vetën
Burbuqe Magashi rrëfeu se motra e saj e ndjerë kishte tentuar të kërcente nga kati i dytë i shtëpisë së ish-burrit për shkak të dhunës dhe maltretimeve.
“Kjo u detyru me ra prej katit të dytë me mbytë vetën. Qaq që ka pas maltretim prej krejt familjes së tyre, e izoluar ka qenë, s’e kanë lanë me dalë në oborr. I kanë thënë derisa të lind 1 vit e gjysmë s’ki nevojë me shku te motrat në Llugaxhi… Ka nis me ra nga kati i dytë, qaq maltretim që i kanë bë sepse e kanë izolu. Në banjo kur ka shku, i ka shku prapa vjehrra e saj, e ka kqyrë mos e ka telefonin, mos po fol me neve në telefon”, u shpreh ajo.
Burbuqja, motra e Hamides tha se motrën e larguan nga shtëpia e burrit sepse maltretohej vazhdimisht nga ai.
E lidhur me këtë rast tejet të rëndë sot është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu paralajmëroi dorëheqje e shkarkime, në lidhje me këtë rast.
“Siç e pamë, një grua bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra pikërisht përpara objektit të Gjinekologjisë.Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë dhe ky rast na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grashë. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrarë nga bashkëshortet e tyre.Me urgjencë kemi mbledhur grupin ndërministror, kemi biseduar për veprimet ndërinstitucionale në lidhje me këtë rast.Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe Prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.Është një papërgjegjësi institucionale, papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e vajzave.Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera, të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëjë të ditura e uroj të më mirëkuptoni për këtë”,tha Haxhiu, shkruan lajmi.net.
Ministrja Haxhiu theksoi se më e vogla është dorëheqja apo shkarkimi pas rastit të mbrëmshëm.
“Ministrja s’ka të drejtë t’i shkarkojë ata. Jo vetëm mbrëmë por edhe sot në vazhdimësi kur po vriten gratë po kërkohet që ministrja të shkarkojë ata, e ministrja ka përfunduar reformën në gjyqësi dhe pritet të votohet në Kuvend. Jam e bindur që kur të përfundojë ajo s’do të ketë më gjyqtarë e prokurorë që s’do të kryejnë detyrën e tyre.Më e vogla është dorëheqja e shkarkimi pas rastit të mbrëmshëm, por këtu vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale nëse vërtetohen se personat përgjegjës nuk kanë kryer detyrën e tyre.Kemi edhe informacione të tjera, të cilat për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund t’i bëjë të ditura. Do të ketë raporte, në momentin që do të pajisemi me informacionet e duhura do të kërkojmë edhe nga Inspektorati të verifikohet “,përfundoi ajo.
Por arsyetime në lidhje me këtë rast pati edhe nga Prokuroria në Ferizaj, që thuhet se kishte marrë vendim për të liruar në procedurë të rregullt të dyshuarin për dhunë ndaj 35 vjeçares, Sokol Halili.
Nga Prokuroria Themelore në Ferizja u tha se kishin marrë veprimet e nevojshëm ndaj të dyshuarit, gjatë kohës sa ishte raportuar për dhunë fizike e psiqike.
Tutje u tha se prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.
“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së. Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023”,thuhet tutje në reagimin e prokurorisë, transmeton lajmi.net.
Sipas Prokurorisë, ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale”.
Edhe sot, Policia e Kosovës është duke vazhduar kërkimin e të dyshuarit ndërsa në lidhje me këtë rast theksohet se janë aktivizuar të gjitha institucionet përkatëse.
Përgjegjësi është kërkuar edhe nga Policia, Prokuroria, gjyqësori, ministritë përkatëse por edhe deri tek Qeveria e Kosovës.
Pavarësisht deklarimeve e reagimeve të shumta, vërejtje pati edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi ende pa u bërë një javë në Kosovë janë vrarë dy gra.
Njëra prej tyre u vra nga bashkëshorti i saj rreth 70 vjeçar, kurse tjetra u vra mbrëmë nga ish-bashkëshorti me të cilin ishin në procedurë të divorcit.
Rastet e shumta të dhunës ndaj grave janë duke u raportuar vazhdimisht. Vetëm brenda 10 muajve muaj në Kosovë u raportuan 2 mijë e 273 raste të dhunës në familje. Por pavarësisht kësaj të larta ende janë shifrat shqetësuese të dhunës në familje, të dhunës ndaj gruas, e të cilat shpesh herë përfundojnë me vdekjen e tyre, për të cilën më pas tronditet e gjithë shoqëria./Lajmi.net/