Klinë – Shoqëria Kulturore-Artistike “Zahir Pajaziti” nga Podujeva ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në skenën e festivaleve folklorike shqiptare. Në Festivalin Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, i mbajtur në Klinë, anëtaret e kësaj shoqërie, Altina Zymeri dhe Kaltrina Zenuni, janë vlerësuar me çmimin “Dueti më i Mirë”.
Ky çmim erdhi si rezultat i interpretimit të tyre artistik, përkushtimit dhe dashurisë ndaj këngës burimore shqiptare, duke përfaqësuar me dinjitet SHKA “Zahir Pajaziti” dhe vlerat kulturore të trevës së Llapit.
Kryetari i SHKA “Zahir Pajaziti”, Faton Blakqori, e cilësoi këtë vlerësim si një dëshmi të punës së vazhdueshme që po bëhet në ruajtjen dhe promovimin e kulturës tradicionale shqiptare.
“Ky sukses është fryt i angazhimit të palodhshëm të anëtarëve tanë, i punës profesionale të udhëheqësve artistikë dhe i mbështetjes së vazhdueshme të përkrahësve të shoqërisë. Jemi krenarë për Altinën dhe Kaltrinën, të cilat me talentin e tyre na përfaqësuan në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Blakqori.
SHKA “Zahir Pajaziti” vazhdon të mbetet një nga bartëset më aktive të traditës dhe folklorit shqiptar, duke promovuar kulturën kombëtare në festivale dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ky sukses përbën një tjetër dëshmi se talenti, përkushtimi dhe dashuria për artin vazhdojnë ta mbajnë gjallë dhe ta lartësojnë folklorin shqiptar në çdo skenë. Urime për Altina Zymerin dhe Kaltrina Zenunin për këtë arritje të merituar dhe suksese të reja në rrugëtimin e tyre artistik. ????????????????









