Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare ndërtimi i shtegut të ri të vrapimit në “Parkun e Paqes”. Aktualisht po realizohet shtrimi i materialit të gomës në një gjatësi prej 1 kilometri dhe gjerësi 1.80 metra, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës për aktivitete sportive dhe rekreative në qytet.
Ky investim, në vlerë prej 120 mijë euro, synon të krijojë kushte më të mira për të gjithë sportistët dhe qytetarët që angazhohen në vrapim, ecje dhe aktivitete të tjera fizike.
Sipas kryetarit Bulliqi, punimet po ecin me dinamikë të mirë dhe pritet që projekti të përfundojë brenda pak ditësh.
“Përkushtimi ynë për të krijuar hapësira të shëndetshme dhe funksionale për qytetarët po vazhdon. Shtegu i vrapimit në ‘Parkun e Paqes’ është vetëm njëri nga projektet që synon të rrisë cilësinë e jetës në Podujevë,” ka deklaruar ai.