Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim kryetarin e Shoqatës së ish të burgosurve politikë, Hydajet Hyseni, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim, Kryetari Bulliqi ishte i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, si dhe nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Isak Shabani.
Përfaqësuesit e Shoqatës e uruan Kryetarin Bulliqi për mandatin e ri, duke i dëshiruar suksese në punën dhe angazhimet e tij në shërbim të qytetarëve të Podujevës. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe vazhdimësinë e mbështetjes për kategoritë që kanë dhënë kontribut për vendin.
Me këtë rast, Kryetari Bulliqi i falënderoi për vizitën dhe urimet, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Ai theksoi se kontributi i ish të burgosurve politikë mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë dhe një shembull i përkushtimit ndaj atdheut.







