Shpërthim i bombolës së gazit në një fast food në Podujevë, disa të lënduar
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në një lokal fast food në Podujevë, duke shkaktuar panik dhe lëndime tek disa persona.
Ngjarja ka ndodhur në fast food “Beni”, që ndodhet në Sheshin “Dëshmorët e Kombit”, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, lokali është përfshirë nga flakët. Në momentin kritik, brenda lokalit ndodheshin 4 deri në 5 persona, përfshirë klientë dhe staf.
Sipas dëshmitarëve, reagimi i shpejtë i një punëtori të Postës së qytetit, njëherësh veteran i UÇK-së, Sabri Stativci, ka qenë vendimtar. Ai ka thyer xhamat e lokalit dhe ka arritur të nxjerrë dy persona nga brenda, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, të cilat kanë bërë izolimin e zonës, si dhe ekipet e zjarrfikësve dhe Urgjencës Mjekësore.
Sipas informacioneve të para, të paktën tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra.
Autoritetet përkatëse janë duke hetuar shkaqet që çuan deri te shpërthimi, ndërsa priten detaje të reja në vijim.






