Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar opinionin publik se sot, zyrtarisht, u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli pas vendimit për shtyerjen e aktgjykimit të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
OVL-UÇK thekson se kjo letër apeli është dërguar me qëllim për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare, raporton KlanKosova.tv.
‘Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë’, thuhet në letrën e OVL-UÇK-së drejtuar ambasadeve mike.
Letra e plotë:
I/E nderuar Ambasador,
Ndërsa Kosova pret vendimin përfundimtar që do ta merret nga Gjykata Speciale, u drejtohemi miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në emër të mijëra veteranëve dhe qytetarëve, besimin e të cilëve e mbartim me përgjegjësi të plotë.
Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.
Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë.
Mbetemi të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta.
Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës.
Me respekt, OVL UÇK.







