Një mbrëmje e ngrohtë u organizua në shtëpinë e Besnik dhe Nora Tahirit për të përshëndetur Gregory Viola, zyrtar i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, i cili po përmbyll misionin e tij pas disa vitesh bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e vendit.
Në këtë mbrëmje morën pjesë figura të rëndësishme të jetës politike në Kosovë, përfshirë ushtruesen e detyrës së ambasadores amerikane, znj. Anu Prattipati, ish-kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, si dhe deputetët Abelard Tahiri dhe Arben Gashi.
Gregory Viola u vlerësua për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës Amerikane. Të pranishmit ndanë kujtime dhe falënderime për bashkëpunimin e frytshëm gjatë viteve të tij në Kosovë.
“Greg ishte gjithmonë korrekt, bashkëpunues dhe mik i sinqertë i Kosovës. Do të na mungojë prania e tij, por jemi të bindur se miqësia jonë do të vazhdojë,” u tha ndër të tjera gjatë mbrëmjes.
Gregory Viola largohet nga Kosova duke lënë pas një trashëgimi të fortë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve.