Gjykata Speciale nuk e ka lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi që të merr pjesë në ceremoninë e varrimit të babait.
Kjo u bë e ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u shprehën të indinjuar me këtë vendim të kësaj gjykate, raporton Zeri.info.
Sipas tyre, ky vendim është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, por që bie ndesh edhe me vlerat e humanizmit e drejtësisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhet në njoftim.
OVL e UÇK-së i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare e organizatave për të drejtat e njeriut që të reagojnë ndaj këtij vendimi dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!”, thuhet ndër tjera. /Zëri