Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Istog, ku dy vëllezër kanë mbetur të lënduar pas një sulmi të dhunshëm, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 1 maj 2026 rreth orës 16:10, në afërsi të autolarjes “Coco Wash 2”, ku viktimat A.M., rreth 21-vjeçar dhe D.M., rreth 19-vjeçar ishin duke qëndruar në veturën e tyre.
Në një moment, një veturë BMW ngjyrë e bardhë është ndalur pranë tyre dhe prej saj kanë dalë tre persona, të cilët i kanë sulmuar me mjete të forta – shufër metalike dhe thikë.
Sipas deklarimeve fillestare, sulmi dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme me njërin nga të dyshuarit, V. Q, ndërsa dy personat e tjerë mbeten ende të paidentifikuar.
Njëri nga viktimat është therur me thikë në qafë, duke pësuar prerje në anën e djathtë, si dhe lëndime në kokë dhe duar. Viktima tjetër ka marrë lëndime në kokë, shpinë dhe duar, si pasojë e goditjeve.
Të dy viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka nisur kërkime intensive për kapjen e të dyshuarve.
Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Hetimet Rajonale në Pejë.







