Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga Labinot Gruda dhe Kadri Shala, dy të dënuarit për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Të enjten, Supremja tha se ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e dy të dënuarve janë hedhur poshtë si të pabazuara.
Labinot Gruda, ish-zyrtar i Thesarit të Shtetit dhe Kadri Shala, në biznesmen me të kaluar politike, janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm për aferën e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari.
“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarve: Labinot Gruda për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave dhe Kadri Shala për shkak të veprave penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të dënuarve, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës”, tha Gjykata Supreme në një njoftim për media.
Po ashtu, gjykata tha se i ka hedhur si të palejuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e përfaqësuesve të palëve të treta: E SHPK, NTSH “Sh.”, NTP “X.”, G. Shpk”, “G. K. SHPK”, “R.H.” dhe “M. B. G. SHPK”. Të gjitha këto kompani në të cilat ishin transferuar një pjesë e mjeteve të vjedhura nga Thesari.
Në dhjetor të vitit 2022, Labinot Gruda dhe Kadri Shala janë dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
Gruda është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik prej dhe 11 vite burgim efektiv dhe 8 mijë e 500 euro gjobë. Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vite.
Ndërsa, Shala është dënuar me 10 vite burgim efektiv dhe 33 mijë euro gjobë.







