Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet e Kosovës do t’i sjellin para drejtësisë të gjithë të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në fillim të protestave në veri, në fund të majit.
Pas arrestimit të Nenad Orlloviqit nën dyshimin për sulmin e 29 majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe kapjes në Zveçan të një veture me sasi të armatimeve të ndryshme, Sveçla ka thënë se institucionet e sigurisë në Kosovë po e dëshmojnë veten “si të pjekura e të zonja”.
Në një intervistë për televizionin publik, Sveçla ka thënë se vetura e kapur është pronë e “Shoqërisë Aksionare ‘Hekurudhat e Serbisë’”.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës ka informatat e para mbi të përfshirët në sjelljen dhe vendosjen e kësaj veture. “Janë armë jashtëzakonisht të rrezikshme”, ka thënë ai, duke shtuar se i gjithë armatimi ka ardhur nga Serbia.
Sveçla ka thënë se të gjitha veprimet e fundit tensionuese në veri “janë dëshmi se Serbia mbetet e interesuar ta destabilizojë Kosovën”.
Për të arrestuarin në mëngjes, Sveçla ka thënë se është i përfshirë në më shumë vepra se vetëm lëndimi i ushtarëve të KFOR-it.
“Është i përfshirë në më shumë vepra sesa ajo, ka dëshmi se ka qenë pjesë e atij grupit jashtëzakonisht të dhunshëm të cilët lënduan 30 e më shumë, për rreth 70 të lënduar pjesëtarë të KFOR-it. Patjetër që ne bazuar në atë se çfarë kanë deklaruar zyrtarët ndërkombëtarë, të gjithë këta akterë do t’i sjellim para drejtësisë. Kjo jo vetëm që është drejtësi, por edhe parandalim që të njëjtit të mos përsërisin vepra të këtilla. Kjo zonë, veriu i Kosovës, karakterizohet nga kontingjenti i kriminelëve që në vazhdimësi kanë shkaktuar probleme, kanë bërë krime, kanë rrezikuar qytetarët tjerë, kanë cenuar sovranitetin e në mënyrë të përsëritshme. Kemi pasur përvoja kur janë amnistuar, fatkeqësisht, e kjo ka sjellë situatë të pandëshkueshmërisë ku janë tirmëruar dhe fuqizuar, por kjo kohë ka përfunduar”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se Kosova e ka vullnetin e zvogëlimit të numrit të pjesëtarëve të policisë në objektet dhe rreth objekteve komunale në veri, por ka thënë se kjo do të ndodhë pasi situata të stabilizohet e “pasi milicia fashiste të tërhiqet”.
Për tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe më 14 qershor brenda territorit të Kosovës, e që po mbahen në paraburgim në Kralevë, Sveçla ka thënë se ka informata që familjarët i kanë takuar dhe u kanë dorëzuar edhe barna.
Ai ka thënë se pret “çdo moment që Serbia t’i bindet presionit qoftë të Republikës së Kosovës, qoftë të aleatëve, që këta policë të kidnapuar e të mbajtur padrejtësisht në Burgun e Kralevës të lirohen menjëherë e t’i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës”.