Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë për EO se Kosova ka pasur shumë miq dhe mbështetës, të cilët i ka humbur “falë eksperimentimit të vazhdueshëm të kësaj qeverie dhe kësaj shumice”.
Sipas Tahiri, asnjë shtet në botë nuk mund të jetojë pa miq, prandaj brenga më e madhe e tij vazhdojnë të jenë marrëdhëniet, siç thotë ai, në nivelin më të ulët me ShBA-në.
Ai ka thënë se ShBA-ja ka luftuar për Kosovën dhe ka qenë një shtet i cili me besim të madh e ka mbështetur atë në rrugëtimin e vetë dhe forcimin e shtetit.
Tutje, Tahiri ka thënë se nuk pret shumë nga mandati i kësaj qeverie dhe se AAK-ja, me koalicionin e saj, do ta ketë rezultatin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë dhe do të jetë “befasia e këtyre zgjedhjeve”.
“Tanimë kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe tre muaj e gjysmë, nuk pres që do të ndodhë shumë, ky kuvend dhe kjo shumicë parlamentare nuk e ka arrit edhe minimumin e ligjit që është dashtë të përfundojnë sepse që katër vite nuk e kemi ligjin për sigurime shëndetësore, ballafaqimi me shërbime shëndetësore dhe kërkesën për të kryer një shërbim me kushtetutë është ballafaqim dhe brenga më e madhe”.
“Nuk ka arritur të trajtojë ligjin e pagave, sot paga në sektorin publikë për 80 mijë familje janë më të voglat në rajon, nuk ka arritur të bëjë asnjë veprim që lidhet me forcimin e ekonomisë të Kosovës, nuk ka arritur ky kuvend dhe kjo qeveri të shtyjë përpara komisionet hetimore për të adresuar çështjet e korrupsionit, kjo qeveri do të jetë në histori të Kosovës, si qeveria me më së shumti tenda një burimor, dhe tenderi një burimor është burimi i korrupsionit, sepse i kalon procedurat e konkurrimit të lirë dhe të barabartë”.
“Ndërsa kur flasim për menaxhimin e shtetit, ekonomisë nuk ka asnjë investim kapital i cili mundë të jetë pikë referente dhe krahasuese, të gjitha rrugët e Kosovës janë të bllokuara, asnjë nuk është kryer nga këta katër muaj. Ajo që mendoj që është një brengë e madhe është edhe dobësimi i Kosovës dhe subjektivitetit të saj në raport ndërkombëtar, nuk ka mundësi asnjë shtet në botë të jetoj pa miq, Kosova ka pasur shumë miq dhe shumë mbështetës dhe i ka humbë falë eksperimentimit të vazhdueshëm të kësaj qeverie dhe kësaj shumice”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Sipas Tahirit, “kjo qeveri e bënë një gabim fondamental kur flet për ndërkombëtarët, ndërkombëtarët janë Amerika” dhe në kohën e luftës, ata ishin “ndërkombëtarët në funksion me sulmet ajrore gjithandej dhe luftën tonë në terren”.