Ish-presidenti, Hashim Thaçi është vetdeklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë.
Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025.
Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ndryshe, Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.
Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e EULEX-it.
Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.
Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, “Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”