Një tërmet me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm Malin e Zi, ndërsa është ndjerë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci, transmeton FrontOnline.
Departamenti i Sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi njoftoi se në orën 06:11 është regjistruar një tërmet me intensitet më të vogël me epiqendër katër kilometra në jugperëndim të qytetit Čarađe në komunën e Nikshiqit dhe në një thellësi prej 14 kilometrash.
Fuqia e këtij tërmeti në pikën qendrore ishte 3.6 ballë të shkallës Rihter.
Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, epiqendra ishte 76 kilometra lindje-juglindje të Mostarit dhe 22 kilometra në verilindje të Bilecës në një thellësi prej nëntë kilometrash.
Sipas dëshmive në faqen e internetit EMSC, tërmeti është ndjerë në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Kroaci.
Paraditen e së enjtes, ky rajon në Mal të Zi u godit nga një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter, i cili u pasua nga një sërë tërmetesh më të vogla.







