Pas tragjedisë së ndodhur në Koçan të Maqedonisë së Veriut, kryetari i kësaj komune, Lupço Papazov ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.
Ai ka kërkuar nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve.
“Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të Komunës së Koçanit. Kjo humbje është e madhe!”, shkroi ai.
Deri më tani, 59 njerëz janë vdekur dhe 155 të tjerë janë raportuar të lënduar.
Dorëheqja e Lupço Papazov:
Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të Komunës së Koçanit.
Kjo humbje është e madhe!
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që ndiejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Shumicën prej tyre i njihja, i njihja edhe familjet e tyre, madje me disa prej tyre ishim edhe miq familjarë.
Shoku dhe thyerja që ndiej do të zgjasin gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë Koçanin dhe gjithë Maqedoninë në zi, ndërsa boshllëku që ka mbetur është i pangushëllueshëm.
Kërkoj nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve! Mosveprimi është gjithashtu përgjegjësi. Duhet të hetohen të gjitha detajet, të zbulohen të gjitha mangësitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë vë veten në dispozicion të plotë të institucioneve.
Edhe pse sipas ligjit nuk kisha kompetenca të drejtpërdrejta në këtë rast, jam i gatshëm të përgjigjem për gjithçka, për të gjitha veprimet e mia personale.
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen time! Por në këto momente, duhet të tregojmë dinjitet, të manifestojmë përgjegjësi të plotë dhe të tregojmë një qasje të ndryshme në veprimet tona. Me sjelljen tonë duhet të japim shembull se kundërshtojmë një sistem që nuk funksionon. Nëse ekziston çfarëdo baze për përgjegjësi nga ana ime, i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë dhe të veprojë në përputhje me ligjet.
Për mua, pas kësaj tragjedie, asgjë më nuk ka të njëjtin kuptim! Këta ishin fëmijët tanë! Shumë, me të drejtë, vunë re pse dje nuk dola në publik gjatë gjithë ditës. Por ata që më njohin e dinë sa i thyer jam dhe si po e përjetoj këtë që ndodhi. Është e vështirë, dhe do ta përjetoj rëndë.
Gjithë jetën time kam punuar me ndershmëri dhe përkushtim!
Kurrë nuk e kam menduar se angazhimi im do të përfundonte në këtë mënyrë, por tani tërhiqem nga kjo detyrë, duke iu lutur Zotit për shpirtrat e fëmijëve tanë, për familjet e tyre dhe për popullin e Maqedonisë!