Tre persona kanë vdekur si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në Malishevë. Viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje: babai dhe dy fëmijët e tij, një vajzë dhe një djalë, shkruan Insajdeir.
Lidhur me rastin, Policia Rajonale në Malishevë ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë.
“Ne si polici, në orën 12:05, kemi pranuar informatën për një zjarr në një banesë në banimin kolektiv social në lagjen ‘Mirdita’. Kemi njoftuar menjëherë njësitë emergjente dhe zjarrfikësit për t’u dalë në ndihmë banorëve që dyshohej se ndodheshin brenda. Në vendngjarje, njësitë përkatëse kanë hasur një person pa vetëdije, i cili është dërguar menjëherë në QKMF. Ndërkaq, dy fëmijët që ndodheshin në banesë janë dërguar në emergjencë nga një banor i zonës. Mjekët në QKMF kanë konfirmuar vdekjen e tyre. Mosha e viktimave është 35, 9 dhe 12 vjeç”, deklaroi zyrtari policor.
Ai shtoi se me urdhër të prokurorit, trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Deri më tani, shkaqet e këtij zjarri mbeten të panjohura.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim e sipër.
“Kjo është informata që kemi për momentin. Banesa ka qenë e mbuluar nga tymi i dendur. Hetimet për të zbuluar burimin dhe shkakun e zjarrit janë ende duke u kryer”, tha ai.







