Donald Trump deklaroi se lufta me Iran mund të përfundojë shumë shpejt, duke theksuar se operacionet ushtarake të SHBA-së kanë arritur rezultate të mëdha dhe janë përpara afatit fillestar të planifikuar.
Gjatë një konference për shtyp në Florida, presidenti amerikan tha se ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme për të ndalur kërcënimet iraniane në rajon. Sipas tij, nëse SHBA-të nuk do të kishin ndërmarrë sulme ajrore, Irani mund të kishte “pushtuar Lindjen e Mesme”.
“Që nga goditja e tyre e fundit, ata kishin mijëra e mijëra raketa. Shumica janë shkatërruar tani. Por ata do të pushtonin Lindjen e Mesme,” tha Trump, duke shtuar se SHBA-të vepruan “në kohën e duhur”.
Presidenti amerikan theksoi se objektivat ushtarake janë duke u arritur më shpejt nga sa ishte planifikuar fillimisht. “Jemi shumë krenarë që jemi të përfshirë në këtë dhe do të përfundojë së shpejti. Dhe nëse fillon përsëri, ata do të goditen edhe më rëndë,” deklaroi ai.
I pyetur nga gazetarët nëse mendon se lufta mund të përfundojë që këtë javë, Trump u përgjigj: “Mendoj se po.” Ai shtoi se shumë nga strukturat ushtarake dhe drejtimi i Iranit janë goditur rëndë gjatë operacioneve.
Sipas tij, SHBA-të kanë identifikuar të gjitha objektet ku prodhohen dronët iranianë dhe ato po goditen sistematikisht. Trump tha se deri tani janë goditur mbi 5 mijë objektiva dhe se ushtria amerikane ka kapacitetin të shkatërrojë objektivat e mbetura “brenda një dite”.







