Komiteti për Komunitete i Kuvendit Komunal të Podujevës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Xhafer Ademi, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që prekin komunitetet jo shumicë në komunën tonë.
Në fillim të takimit u miratua procesverbali nga mbledhja e mbajtur më 5 mars 2025, ndërsa pikë e rendit të ditës ishte informimi rreth planifikimit të vizitave në lagjet ku jetojnë komunitetet jo shumicë, konkretisht në rrugët “Ali Ajeti” dhe “Xhemajl Mustafa”.
Edhe pse këto vizita ende nuk janë realizuar, anëtarët e Komitetit u pajtuan që gjatë këtij muaji të zhvillojnë vizita në terren, në bashkëpunim me Zyrën për Komunitete dhe Kthim, për të parë nga afër gjendjen dhe për të identifikuar sfidat me të cilat përballen banorët. Pas vizitave do të përgatitet një raport gjithëpërfshirës me rekomandime konkrete për adresimin e shqetësimeve të komuniteteve.
Kryesuesi Ademi theksoi problemin e mungesës së ujit të pijshëm në rr. “Ali Ajeti”, një shqetësim i kahmotshëm për banorët e asaj lagjeje. Lidhur me këtë, asamblisti Florent Hasani informoi se Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë 95 mijë euro për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këtë zonë, një projekt që do të realizohet përmes KRU “Prishtina” dhe pritet të nisë së shpejti.
Në vijim të mbledhjes, Shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, Liman Zeqiri, prezantoi bashkëpunimin shumëvjeçar të Komunës së Podujevës me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), i cili ka sjellë rezultate të prekshme, sidomos në fushën e arsimit. Falë këtij bashkëpunimi, shumë shkolla me nxënës nga komunitetet jo shumicë janë pajisur me kabinete shkollore moderne, ndërsa qytetarë të komuniteteve kanë përfituar mbështetje për zhvillimin e veprimtarive ekonomike përmes projektit për stabilizim ekonomik.
Në pikën e fundit të mbledhjes u diskutuan disa çështje infrastrukturore dhe të banimit në lagjet e komuniteteve, si dhe çështja e vaksinimit të fëmijëve kundër gripave sezonal.
08.04.2025, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim