Në Komunën e Podujevës është mbajtur sot mbledhja e parë e Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, e udhëhequr nga kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe sektorëve relevantë.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, trajtimin dhe adresimin sa më efikas të rasteve të dhunës. Me këtë rast, kryetari Bulliqi theksoi se mekanizmi përbën një hap të rëndësishëm drejt koordinimit më të mirë institucional dhe reagimit të shpejtë në mbrojtje të viktimave.
Gjatë mbledhjes, Qendra për Punë Sociale prezantoi shërbimet që ofron për rastet e dhunës në familje, ndërsa pjesëmarrësit diskutuan sfidat dhe praktikat aktuale në trajtimin e këtyre rasteve.
Po ashtu, u formua grupi punues prej shtatë anëtarësh për hartimin e draft-planit të punës për vitin 2026, i cili u miratua unanimisht nga të pranishmit.
Në përmbyllje të takimit, kryetari Bulliqi falënderoi anëtarët për angazhimin dhe ritheksoi përkushtimin e Komunës së Podujevës për të mbështetur funksionimin e mekanizmit, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ofrimin e mbrojtjes, kujdesit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për të gjitha rastet në nevojë.









