Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonicit lidhur me çështjen e ushqimit të ushtarëve. Ai ka kërkuar zgjidhje konkrete, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa.
Si rrjedhojë nga kjo datë mbesin pa kuzhinierë, andaj sipas tij ata do të detyrohen t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.
Mes tjerash, në këtë letër ai potencon edhe mundësinë e helmimit e infeksionit të ushtarëve, si pasojë e kushteve jo të duhura edhe sanitare.
Sipas tij, krejt këto probleme po ndikojnë në kryerjen e detyrave.
“Të gjitha këto probleme ndikojnë për FSK-në, në kryerjen e detyrave operacionale për përmbushje misionit, kurseve zhvillimore, stërvitjeve fushore dhe aktiviteteve tjera, konform planifikimit“.
“Për më tepër, personeli në kuzhina të cilët janë të angazhuar nga institucionet tjera, kanë deklaruar që deri me datën 11.10.2024 do të paraqiten në punë, pastaj nuk do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së“.
Tutje, Komandant i FSK-së foli për secilën gradë të personelit duke treguar se sa racione iu duhet të konsumojnë gjatë kohë se janë në punë.
Komandati i FSK ka kërkuar nga Maqedonci e Dugolli që t’i jepen udhëzime se si të veprojë më tutje.
“I nderuar z. Ministër dhe z. Sekretar, bazuar në atë që u cek më lartë ju lutem të jepen udhëzimet e duhura se si do të veprohet nga data 11.10.2024 e tutje. Pasi që, mos paraqitja e personelit nga institucionet tjera në kuzhinat e FSK-së, vonesat në furnizim me artikuj ushqimor dhe sanitar dhe rreziqet për pasoja shëndetësore do të na detyrojnë që të marrim masat për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve e planifikuara dhe të funksionojmë vetëm me staf esencial“, thuhet në letrën e Jasharit për Ministrinë e Mbrojtjes.
Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më të diskutuara së fundmi në vend, e para, për cilësinë e dobët e edhe për shkak të skadimit të kontratës për furnizimin me ushqim.
Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se që nga viti 2015 furnizimi është bërë në mënyrë emergjente dhe në minutën e fundit, çka ka krijuar hapësira për keqpërdorim.
“Njëra ndër qëllimet kryesore që ka qenë edhe i vendosur në programin e LVV-së, ka qenë që të krijohet sa më shumë vetë qëndrueshmëri në ushtri. Vetëqëndrueshmëria në ushqim është bazike për funksionin dhe për operacionalitetin e FSK-së”.
“Prandaj përmes këtij koncepti, përveç që do të kursejmë para, do të kemi një siguri në aspektin e furnizimit të njësiteve tona me ushqim, dhe do të kemi një mos-varësi për elementet bazike nga operatorët që nuk do të ishte e keqe në gjendje normale por nuk mund të planifikohet që të bëhet kur kemi operacione dhe luftime…”, deklaroi ai/Indeskonline







