Pesë fëmijë të prekur me fruth po trajtohen aktualisht në Klinikën Infektive, pasi nuk kanë marrë vaksinën kundër kësaj sëmundjeje.
Lidhur me këtë situatë ka folur Besim Kodra, i cili në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova tha se rritja e rasteve është shqetësuese dhe lidhet me ndikimin e dezinformatave ndaj vaksinimit.
Ai u shpreh se pas pandemisë COVID-19 është krijuar një mosbesim ndaj institucioneve të shëndetit publik, gjë që sipas tij po ndikon edhe në vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit.
“Kjo situatë është për keqardhje, sepse dezinformatat po bëhen më të forta se informacionet dhe po shkaktojnë huti te qytetarët. COVID-19 ka krijuar mosbesim ndaj institucioneve të shëndetit publik dhe kjo po ndikon edhe te vaksinat kundër fruthit. Kjo lëvizje ka nisur edhe në Kosovë, por nuk ka bazë”, deklaroi Kodra.
Ai theksoi se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar studime që vërtetojnë se vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një studim të veçantë, ka thënë se vaksinimi kundër fruthit nuk e shkakton autizmin. Është një studim i vërtetuar dhe si i tillë duhet t’u besojmë dhe t’i mbrojmë fëmijët tanë, sepse kemi përgjegjësi ndaj tyre”, tha ai.







