Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca për vrasjen e Valmir Breznicës në Podujevë, e ndodhur në shtatorin e vitit 2023. Seanca vazhdoi me dëshmitaren e rastit, Nafije Pllana, punonjëse në marketin Interex.
“Atë ditë kam qenë te Interexi, në sektorin e pemëve. Kisha shpinën të kthyer kah vendi ku ka ndodhur rasti. Kishim qenë bashkë me Ahmetin kur dëgjuam krismën. Nuk dija çka kishte ndodhur, kur arritëm te dera, ishim mbledhur të gjithë. Kur u kthyem, një grua ishte e gjakosur. Po ashtu, aty ishte edhe një fëmijë i gjakosur. Jemi afruar për t’i dhënë ndihmë, dhe bashkëshorti i saj i ofroi një thes me fara për t’i mbajtur kokën në pllaka”, u përgjigj ajo në pyetjet e prokurores së shtetit.
“E kapa kokën dhe thashë ‘kuku, koka shumë e plagosur’, pastaj ika drejt derës. Më pas, është lajmëruar policia dhe nuk na lanë të dilnim jashtë. Na çuan në katin e dytë dhe më pas nuk pamë më asgjë. Kur ndodhi rasti, të gjithë e pamë, por nuk dija çfarë ndodhi, thjesht bërtitëm”, theksoi ajo. “Unë kam qenë me shpinë, prandaj nuk kam parë kush çfarë ka bërë”, shtoi dëshmitarja Pllana.
Dëshminë e tij e dha edhe bashkeshorti i saj, Amir Pllana, punonjës në Interex, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në momentin kur Valmir Breznica humbi jetën.
“Kur dëgjuam krismat, shkumu te dera. U larguam sepse nuk e dinim çfarë po ndodhte. Unë, me kolegët dhe bashkëshorten, u kthyem dhe pamë një grua të shtrirë, duke u përpjekur të ngrihej. Nuk e kam parë ndonjë person të gjakosur”, theksoi ai.
Vrasja e të riut nga Podujeva, Valmir Breznica, ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar, në Podujevë. Në paraburgim po mbahet babai i të miturit, Arsim Syla.