Një punëtor i ndërtimtarisë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të mërkurën, si pasojë e lëndimeve të marra pasi u rrëzua nga një objekt në vendin e tij të punës.
Viktima pësoi lëndime të rënda pasi u rrëzua në objektin ku po punonte të mërkurën në Lipjan.
Ngjarja, sipas raportit policor, ka ndodhur rreth pasdites së djeshme.
“Një mashkull kosovar ka ndrruar jetë në QKUK derisa po trajtohej si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi ishte rrëzuar nga një objekt ku po punonte. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe inspektori i punës”, tha Policia.
Dy persona, pronari i firmës ndërtimore në të cilën ai punonte dhe pronari i pronës në vend-punishten në Lipjan, janë arrestuar, tha Policia të enjten.
Prokuroria ka iniciuar rast kundër dy të dyshuarve për veprat penale të asgjësimit të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
“Dy të dyshuar meshkuj kosovarë (pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës) janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, tha Policia në raportin 24-orësh.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. /Paparaci.com